Shoqata "Malësia e Madhe" - New York
  • SHQIP
  • ENGLISH
MISIONI    |    KRYESIA    |    DONACIONET    |    ANETARESIMI

BURSA PER STUDENTET    |     ARKIVE    |    STATUTI



HYRJE

Shoqata "Malësia e Madhe" në New York lind si rezultat i bashkimit të dy shoqatave malësore (Fondi Humanitar "Malësia" dhe Shoqata "Dedë Gjo' Luli"), që ishin aktive dhe punuan e vepruan pa ndërprerë për çështjen kombëtare prej vitit 1994 deri ne vitin 2015.
Për të intensifikuar aktivitetin tonë kombëtar dhe për t'i dalë në ndihmë asaj pjese të popullit shqiptar që jeton nën Mal të Zi, e në veçanti popullatës së Malësisë, vendosëm që t’i bashkojmë këto dy shoqata dhe pjesën tjetër te komunitetit malësor dhe të themelojmë Shoqatën "Malësia e Madhe", me seli në New York.

Ne, si pjesëtarë të pandashëm të atij vendi, e vlerësojmë të drejtë dhe detyrim tonin, që ta ndihmojmë vendlindjen në mënyra të ndryshme të veprimtarisë sonë. Po ashtu, kemi të drejtë dhe obligim të reagojmë tek faktori vendas, ashtu edhe tek ai ndërkombëtar, përderisa populli ynë në vendlindje t'i gëzojë të gjitha të drejtat që i takojnë.
Shoqata, përpos aktiviteteve të saj në vendlindje, do të ushtrojë veprimtarinë e vet edhe në diasporë, me karakter kulturor e sportiv dhe veprimtari të tjera me interes, për të cilat do të vendosë dhe do të japë udhëzime Kuvendi i Shoqatës.

                                       
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
                                                              
Neni 1
Shoqata "Malësia e Madhe" (në tekstin në vijim Shoqata) është shoqatë jopartiake, joqeveritare dhe jofitimprurëse, e themeluar nga bashkimi i dy shoqatave (Fondi Humanitar "Malesia" dhe Shoqata "Dedë Gjo' Luli"), si dhe nga pjesa tjetër e komunitetit malësor të New York-ut;
                                                               
Neni 2
Shoqata "Malësia e Madhe" është shoqatë e karakterit kombëtar;
                                                               
Neni 3
Shoqata ka vulën dhe logon e vet, të përcaktuara nga Këshilli  drejtues i saj;
                                                               
Neni 4
Selia dhe adresa e Shoqatës caktohet nga Këshilli drejtues i shoqatës;
                                                               
Neni 5
Shoqata do të veprojë dhe punojë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e SHBA-së;
                                                                 
Neni 6
Shoqata ka bashkëpunim të ngushtë dhe koordinon veprimtarinë e vet me shoqata, fonde dhe asociacione të ndryshme shqiptaro-amerikane që veprojnë ne SHBA;
                                                                  
Neni 7
Gjuhë zyrtare të shoqatës janë: gjuha shqipe dhe gjuha angleze. Nëse shoqatës i bëhet kërkesa në ndonjë gjuhe tjetër, kërkohet përkthimi i saj në njërën prej këtyre dy gjuhëve;
                                                                   
Neni 8
Shoqata e konsideron si të vetën Marrëveshjen për bashkëpunim mes shoqatave me origjinë nga trojet tona etnike nën Mal të Zi, për bashkëpunim të ndërsjellë për çështje që prekin interesat e përbashkëta kombëtare, të nënshkruar nga ish Fondi Humanitar "Malësia" dhe ish Shoqata "Dede Gjo' Luli", më 2 nëntor 2014 në Detroit.

                                                    
II. SYNIMET DHE OBJEKTIVAT                                                                 
                                                                   
Neni 9
Shoqata ka për qellim të ndihmojë vendlindjen dhe të kultivojë identitetin kombëtar ne diasporë;
                                                                    
Neni 10
- Shoqata në vendlindje:
a) angazhohet për mbrojtjen dhe garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe për rregullimin e statusit të popullit shqiptar që jeton nën Mal të Zi, në veçantitë atij në Malësi;
b) bashkëpunon reciprokisht me faktorin relevant shqiptar, që ka për qellim avancimin e pozitës së popullit shqiptar nën Mal të Zi dhe afirmimin e traditës dhe kulturës sonë;
c) angazhohet për ngritjen e nivelit të arsimit dhe kulturës sonë;
d) kryen veprimtari humanitare, në forma të ndryshme të asistimit, për të ndihmuar popullatën e Malësisë;
e) kryen veprimtari tjera, të cilat Këshilli drejtues i shoqatës do t'i parashikojë dhe konsiderojë të arsyeshme.
                                                                      
Neni 11
Shoqata nuk do të angazhohet të kontribuojë në infrastrukturën dhe shërbimet publike në vendlindje, që janë detyrë e pushtetit qendror apo atij lokal. Kuvendi mund te bëjë përjashtim nga ky nen në qoftë se konstaton se kërkesa në fjalë është me rëndësi vitale për Malësinë;
                                                                         
Neni 12
Shoqata, në rast nevoje, do ta shtrijë fushëveprimin e vet edhe ne trojet tjera etnike shqiptare;

- Shoqata në diasporë:
a) komunikon dhe bashkëpunon me shoqata, institucione, personalitete të administratës amerikane, qendra fetare dhe asociacione të ndryshme;
b) përkujton dhe shënon përvjetorë dhe ngjarje e data të ndryshme të historisë sonë kombëtare;
c) organizon protesta e mitingje dhe nënshkruan peticione për avancimin e te drejtave tona kombëtare, qe na mohohen nga shteti i Malit te Zi dhe të drejtave tjera të shqiptareve kudo në rajon;
d) merret me promovimin e veprave dhe krijimtarive të ndryshme me interes, me organizimin e ekspozitave, aktiviteteve sportive, piknikëve etj.
e) zhvillon forma të ndryshme të fushatës për mbledhjen e mjeteve,  të domosdoshme për zbatimin e programit te saj.    
                                                                            
                                                
III. ANËTARËT DHE ANËTARËSIA
                                                                 
Neni 13
Anëtar të shoqatës mund të jetë çdo pjesëtar i komunitetit malësor apo me gjere, i cili shpreh dëshirën për  anëtarësim në Shoqatë dhe e paguan rregullisht anëtarësinë. Shumen e anëtarësisë e përcakton Kuvendi i shoqatës;
                                                             
Neni 14
Anëtarët e Shoqatës kanë të drejtë të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur;
                                                               
Neni 15
Anëtar mund te behet edhe ndonjë individ që i takon një shoqate tjetër, por që nuk vepron në kundërshtim me interesat e shoqatës;
                                                                
Neni 16
Procesi i anëtarësimit në Shoq1atë bëhet përmes dorëzimit apo postimit të formularit, që e lëshon ky organ.
                                                                 
Neni 17
Anëtarësimi ne Shoqatë bëhet në baza të parimeve vullnetare dhe mbetet i hapur për çdo pjesëtar te komunitetit shqiptar e më gjere;
                                                                  
Neni 18
Të gjithë anëtarët, që e paguajnë rregullisht anëtarësinë vjetore, kanë të drejtë të marrin pjesë në Kuvendin vjetor te shoqatës me të drejtë vote;
                                                                 
Neni 19
Anëtarët që nuk e paguajnë anëtarësinë vjetore, do të fshihen nga lista e anëtareve dhe kjo do të bëhet në çdo fund viti kalendarik;
                                                                   
Neni 20
Anëtar do të konsiderohet çdo person fizik apo juridik që e ndihmon shoqatën materialisht ose në ndonjë forme tjetër;
                                                                    
Neni 21
Anëtarësimi përfundon me largimin vullnetar nga shoqata. Këshilli drejtues mund të vendosë që të largojë një ose me shumë anëtarë kur personi ose personat në fjalë dëmtojnë imazhin e shoqatës.
 
                                                          
IV. DREJTIMI I SHOQATËS
                                                                        
Neni 22
Kuvendi i përgjithshëm është organi më i lartë vendimmarrës, përbehet nga te gjithë anëtarët e shoqatës,  kurse vendimet në Kuvend merren me shumicën e votave;                                                                                                                                 
                                                                       
Neni 23    
Kuvendi i përgjithshëm i shoqatës mbahet një herë ne vit, me detyre që:
a) të zgjedhë Këshillin drejtues te shoqatës me mandat dyvjeçar, i cili përbëhet prej 17 - 21 anëtarëve. Mënyrën e zgjedhjes së Këshillit drejtues do ta përcaktojë Kuvendi ne seancën  përkatëse;
b) të miratojë programin, të caktojë objektivat dhe synimet e shoqatës për vitin qe vijon;
c) të vlerësojë punën e Këshillit drejtues;
d) të bëjë ndryshime, modifikime apo plotësoj me amendamente kete statut;
e) te përcaktojë shumën e pagesës së anëtarësisë.
                                                                          
Neni 24
Kuvendi , me rastin e miratimit te programit vjetor, mund t'i japë përparësi ndonjë aktiviteti specifik, nëse këtë e vlerëson të nevojshme dhe të arsyeshme;
                                                                             
Neni 25
Keshilli drejtues ne mbledhjen vjetore te rregullt, ka per detyre te paraqese ne seancen e Kuvendit propozim-programin, per vitin e ardhshem te shoqates. Kuvendi mund at pranoj, ndryshoj, plotesoj, apo revokoj propozimin e Keshillit drejtuas.  
                                                                          
Neni 26
Kryetari i Këshillit drejtues ka për detyrë të caktojë vendin e mbajtjes dhe të thërrasë Kuvendin vjetor të Shoqatës;
                                                                          
Neni 27
Mbledhje të jashtëzakonshme te Kuvendit mund të thërrasin edhe Këshilli drejtues dhe një e treta (1/3) e anëtarëve te Kuvendit;                                                                          
                                                                           
Neni 28
Këshilli drejtues merr vendime te nevojshme për funksionimin, organizimin, administrimin dhe buxhetin e shoqatës;
                                                                            
Neni 29
Këshilli drejtues ka obligim të jetë transparent për punën e vet dhe për çdo vit në Kuvendin e shoqatës të raportojë për punën dhe veprimtaritë gjatë vitit të kaluar;
                                                                               
Neni 30
Mbledhjen e Këshillit e thërret kryetari i saj. Anëtarët e Këshillit për mbledhje i njofton përmes postës elektronike. Një e treta (1/3) e Këshillit drejtues, po ashtu, mund te thërrasë mbledhjen e Këshillit drejtues;
                                                                               
Neni 31
Vendimet janë fuqiplote dhe efektive vetëm atëherë kur merren në mbledhjen e rregullt te Këshillit drejtues të shoqatës;
                                                                               
Neni 32
Vendimet merren nëse në mbledhje marrin pjesë më shumë se një e dyta (1/2) e Këshillit drejtues. Votimi behet në mënyrë publike;
                                                                              
Neni 33
Vendimet merren me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit drejtues dhe çdo votë është ekuivalente;
                                                                              
Neni 34
Këshilli drejtues zgjedh kryesinë e shoqatës, që përbehet nga kryetari, nënkryetari, sekretari dhe arkëtari;
                                                                               
Neni 35
Pjesëtari i komunitetit malësor, për të marrë postin e kryetarit, duhet që së paku të ketë dy vjet përvojë në Këshillin drejtues të kësaj shoqate;
                                                                               
Neni 36
Kryesia e Këshillit drejtues është organi ekzekutiv i shoqatës;
                                                                                
Neni 37
Këshilli drejtues zgjedhe Kryesinë me mandat dyvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër. Zgjedhja bëhet me vota te fshehta;
                                                                                
Neni 38
Kryetari përgatit materialin lidhur me rendin e ditës dhe e propozon atë, drejton mbledhjen dhe koordinon punën gjatë mbajtjes së saj dhe nënshkruan akte të përgjithshme, të cilat i sjell Këshilli drejtues;
                                                                                
Neni 39
Kryesia, së paku një (1) ditë para mbajtjes së mbledhjes, duhet t’i njoftojë anëtarët e Këshillit drejtues me pikat e rendit të ditës. Pikë rend dite mund të propozojë edhe çdo anëtar i Këshillit drejtues;
                                                                                 
Neni 40
Më së shumti tri (3) dite pas mbledhjes Kryesia duhet t’i lajmërojë me shkrim anëtarët e Këshillit drejtues për vendimet e mbledhjes paraprake;
                                                                                
Neni 41
Kryetari, gjatë mandatit të tij, ka te drejte të disponojë me një sasi të caktuar mjetesh, pa ndonjë procedurë të zakonshme të shoqatës. Shumën e mjeteve e përcakton Këshilli drejtues;
                                                                                 
Neni 42
Po që se gjatë mbajtjes së mbledhjes së shoqatës, për shkaqe të ndryshme, prishet atmosfera e punës ose bëhet shkelje e dispozitave të procedurës së marrjes së vendimit, kryetari ka të drejtë që marrjen e vendimit përkatës ta shtyjë për mbledhjen tjetër të radhës;
                                                                                                                                                                 
Neni 43
Këshilli drejtues, me dy të tretën (2/3) e shumicës absolute, mund ta shkarkojë kryetarin ose ndonjë anëtar tjetër të Kryesisë, natyrisht nëse konstatohet se ka bërë shkelje të rëndë nga Neni 53 i këtij statuti;
                                                                                  
Neni 44
Kryetari ngushtësisht konsultohet për rendin e ditës me nënkryetarin. Nëse mungon kryetari, atëherë mbledhjen e organizon dhe e drejton nënkryetari;
                                                                                  
Neni 45
Sekretari mban procesverbalin, kujdeset për arkivin e shoqatës dhe kryen punë tjera administrative;
                                                                                   
Neni 46
Arkëtari mban dhe drejton financat dhe ka për detyrë që në çdo mbledhje t’i raportojë Këshillit drejtues për buxhetin aktual të shoqatës;
                                                                                   
Neni 47
Këshilli drejtues zgjedh komisionet ndihmëse të cilat do të mbajnë kontakte me strukturat e ndryshme shoqërore këtu dhe në vendlindje;
                                                                                   
Neni 48
Komisioni (dy ose më shumë persona) do të ketë kryetarin e vet, të cilin e emëron Këshilli drejtues, ndërsa anëtarët tjerë të komisionit i emëron kryetari i komisionit përkatës. Shoqata do të ketë:
a) Komisionin për kontakte me shoqata, fonde, asociacione dhe qendra fetare;
b) Komisionin për çështje të arsimit dhe kulturës;
c) Komisionin për çështje humanitare dhe
d) Komisionin për kontakte me institucionet gjegjëse për pozitën politiko-juridike të shqiptarëve nën Mal të Zi.                                                                                                                      
                                                                                     
Neni 49
Pa marrë parasysh natyrën e vendimit të Këshillit drejtues, lidhur me ndonjë kërkesë përkatëse, Kryesia e shoqatës është e obliguar që parashtruesin e kërkesës ta lajmërojë me shkrim për vendimin e marrë;
                                                                                     
Neni 50
Komisionet veprojnë sipas direktivave te Këshillit drejtues dhe  këtij organi i japin llogari  për punën e tyre. Këshilli drejtues vendos për çdo rast konkret të paraqitur;
                                                                                     
Neni 51
Kërkesat merren parasysh dhe shqyrtohen vetëm atëherë kur paraqiten me shkrim dhe adresohen ne adresën e shoqatës;
                                                                                    
Neni 52
Dokumenti, përveç simbolit të shoqatës, për të qenë zyrtar, duhet të ketë edhe nënshkrimin e së paku një personaliteti, që mban postin e kryetarit, nënkryetarit, sekretarit ose arkëtarit;
                                                                                   
Neni 53
Keqpërdorimi i fondeve, vulës dhe logos së shoqatës, përveçse nënkupton shkelje të rëndë të këtij statuti, njëkohësisht keqpërdoruesi i nënshtrohet edhe përgjegjësisë penale para organeve gjyqësore te vendit;
                                                                                    
Neni 54
Burimet kryesore financiare të shoqatës janë:
a) pagesa e anëtarësisë;
b) të ardhurat nga aktivitetet e ndryshme të shoqatës;
c) kontributet e komunitetit, sponsoreve te ndryshem, donacioneve dhe mënyrave tjera.                                                                                     
                                                                                      
Neni 55
Shoqata ka Ueb-faqen, në të cilën do të publikohen të gjitha deklaratat dhe vendimet me shkrim dhe do të jetë e hapur për të gjithë anëtarët e saj dhe për të interesuarit tjerë;
                                                                                                                                                                    
                                                       
V. DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
                                                                                  
Neni 56
Për arsye te ndryshme, Kuvendi me dy të tretat(2/3) e votave, gjegjësisht me shumicën absolute, mund ta shpërbëjë shoqatën;     
                                                                                   
Neni 57
Shoqata mund te shpërbëhet nëse bie ne kundërshtim me Statutin dhe aktet tjera ligjore te përcaktuara nga Kuvendi i kësaj shoqate;
                                                                                   
Neni 58
Statuti do të hyjë në fuqi ditën e aprovimit nga Kuvendi i kësaj shoqate;

Statuti u aprovua në Kuvendin themelues te Shoqatës "Malësia e Madhe", më 11 mars 2015.
                                   
KUVENDI I SHOQATËS MALESIA E MADHE - NEW YORK


1007 Yonkers Avenue, Yonkers, NY 10704     •     info@MalesiaNY.org
© Shoqata Malësia e Madhe Association - New York